Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Ilir Snopçe merr çmimin “Hulumtuesi më i mirë” në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut

Ilir Snopçe, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ka marrë çmimin “Hulumtuesi më i mirë”, në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut, në Binghempton. Ai e ka dëshmuar veten si hulumtues i mirëfilltë me publikimin e një hulumtimi në revistën “Archiv der Mathematik” dhe dy punimeve të tjera në revistat Journal of Group Theory and the Journal of Algebra.

Në artikullin e botuar në gazetën zyrtare të Universitetit të Binghemton, enkas për çmimin e ndarë për Ilir Snopçen, ndërmjet tjerash thuhet: “Iliri ka treguar aftësi të njëmendta hulumtuese matematikore dhe pjekuri të pazakontë për moshën që ka. Poashtu, Iliri zotëron dije edhe në fusha të ndryshme të matematikës”.

Puna hulumtuese e Ilir Snopçes në grupin e Notingamit dhe Pro-p grupin ka pasuar me një rezultat shumë të suksesshëm të E. Zelmanov, i cili ka fituar një çmim ekuivalent me çmimin Nobel në Matematikë (Fielc Medal). Gjithashtu, duhet theksuar se puna hulumtuese e tij dallon edhe për vetë mënyrën e qasjes serioze matematikore të zhvillimeve të reja, por edhe ekzistuese.

Ilir Snopçe ka lindur më 30.08.1980, në Gostivar. Që në bangat e shkollës fillore dhe të mesme ka fituar shpërblime të shumta në olimpiadat matematikore. Kulminacionin e kishte arritur në Olimpiadën botërore të matematikës, të mbajtur në Bukuresht të Rumanisë (1999), ku fitoi medaljen e bronztë. Ka mbaruar Fakultetin e Matematikës, në Shkup, me notë mesatare 10,00, me ç’rast u bë studenti i parë në historinë e këtij fakulteti me këtë mesatare. Në vitin 2003, mori edhe shpërblimin e studentit të vitit në Universitetin "Shën Qirili dhe Metodi", kurse në vitin 2004, punësohet si asistent në UEJL.

Në janar të vitit 2005, vazhdon studimet pasdiplomike në Binghamton të Nju Jorkut, ku në vitin 2007 edhe magjistron, për të vijuar mëtej studimet e doktoraturës, të cilat së shpejti pritet t’i përfundojë. Për 3 muaj me radhë (qershor-gusht 2009), ka qëndruar si mysafir i Universitetit Ghotingen në Gjermani (Universiteti më i njohur i matematikës në Evropë), duke bërë hulumtime së bashku  me matematikanë të nivelit më të lartë botëror.

Google+