COVID-19 Information

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Thirrje për emërimin e dy anëtarëve të bordit të Universitetit nga komuniteti në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Në bazë të Statutit të Universitetit të Evropës Juglindore, Komisioni i Nominimeve i Bordit të Universitetit shpall thirrjen për shprehjen e interesit nga individë të kualifikuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV), për plotësimin e dy pozitave vakante si anëtarë të Bordit nga komuniteti, mandati i të cilëve fillon nga 1 shtatori 2020.

Njëra pozitë është e hapur për kandidatët që vijnë nga asociacionet ose komuniteti akademik në RMV, që nuk kanë asnjë konflikt interesi me institucionin dhe pozita tjetër është e hapur për kandidatët që vijnë nga komuniteti i biznesit në RMV.

Kandidatët nuk duhet të jenë të punësuar në Universitet. Ata duhet ta kenë të dëshmuar kontributin konkret për arsimin e lartë dhe shkencën.

Mandati i të dy anëtarëve është për katër vjet. Në përputhje me Statutin, asnjë anëtar nuk mund të emërohet, ose rizgjidhet pasi të mbushë moshën 70 vjeç.

Për tu kualifikuar për emërimin, kandidati, më 1 shtator 2020, duhet të jetë në moshën nën 70 vjeç. Komisioni i Nominimeve dëshiron të tërheqë kandidatë që kanë kualifikime dhe/ose kanë përvojë profesionale (për shembull si profesor ordinar, të punësuar në ministri, agjenci për sigurimin e cilësisë ose profesionistë të lartë në sektorin e biznesit), që të konsiderohen nga Komisioni si të përshtatshëm për pozitën. Puna e Bordit të Universitetit zhvillohet në gjuhën angleze, njëra nga tre gjuhët e punës së Universitetit, ndërsa dy gjuhët tjera janë gjuha shqipe dhe gjuha maqedonase, kështu që njohja e rrjedhshme e gjuhës angleze është një kërkesë specifike.

Universiteti EJL-së, është një entitet fiskal jo-fitimprurës privat-publik, një institucion unik në RMV, duke u mbështetur kryesisht në tarifat e shkollimit, por gjithashtu duke marrë një element të rëndësishëm të financimit të tij nga Qeveria. Bordi Universitetit prej shtatë-anëtarësh gjithashtu është një organ që nuk është i pranishëm në universitetet publike. Ai funksionon sipas një sërë rregullash që rrjedhin nga Ligji për Arsimin e Lartë, Statuti i Universitetit dhe standardet ndërkombëtare, duke përfshirë një kod etik bashkëkohor të nxjerrë nga korniza e Këshillit të Evropës “ETINED”. Bordi vetë, ose në raste të caktuara duke vepruar nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv të tij: (i) ushtron kontroll të përgjithshëm të planifikimit strategjik të Universitetit dhe të qëndrueshmërisë financiare; (ii) emëron nëpunësin kryesor ekzekutiv (Rektorin), pas konsultimit me Senatin; (iii) miraton buxhetin dhe llogaritë vjetore; (iv) mbikëqyr auditimin e jashtëm dhe të brendshëm ndaj standardeve ndërkombëtare përmes Komitetit të Auditimit dhe Menaxhimit të Rrezikut; (v) mbikëqyr politikat dhe procedurat e burimeve njerëzore përmes Komitetit për Çështje të Stafit; (vi) ushtron mbikëqyrjen e menaxhmentit të lartë; (vii) miraton emërime të larta akademike, të cilat rekomandohen nga Senati; (viii) mund të angazhohet në mbledhjen e fondeve; dhe (ix) në përgjithësi për Universitetin sjell një sërë ekspertizash dhe këshillash të jashtme, përmes dy anëtarëve ndërkombëtarë dhe gjithashtu dy anëtarëve të pavarur, të caktuar nga komuniteti përmes një thirrje të veçantë. Tre anëtarët e tjerë të Bordit zgjidhen nga Senati, i cili përbëhet nga stafi akademik i zgjedhur nga këshillat e fakulteteve, stafi joakademik dhe studentët. Autoriteti i Senatit shtrihet në të gjitha çështjet akademike, përfshirë sigurimin e cilësisë dhe gjithashtu këshillohet për çështje të tjera nga Bordi i Universitetit dhe Rektori. Kryetari i Parlamentit Studentor është i ftuar të marrë pjesë në mbledhjet e Bordit, të cilat janë gjithashtu të hapura për vëzhgim nga stafi dhe studentët.

Anëtarët e Bordit nga komuniteti në RMV, pritet të marrin pjesë deri në katër mbledhje të Bordit dhe Komiteteve të tij (aktualisht mbahen në mars, qershor, gusht dhe nëntor).

Personat e interesuar ftohen ta kontaktojnë kryetarin e Komisionit të Nominimeve, Prof. Dr. Dennis Farrington, për diskutim joformal me email: d.farrington@seeu.edu.mk. Informacione të mëtejshme në lidhje me Universitetin mund të gjenden në ueb faqen e tij: www.seeu.edu.mk.

Aplikimet formale duhet të dorëzohen deri në orën 16:00 (CET), më 6 mars 2020, të jenë në gjuhën angleze dhe të dorëzohen me email tek Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit, Dr. Xhevair Memedi, x.memedi@seeu.edu.mk, përfshirë një letër motivimi të skanuar të adresuar tek Komisioni i Nominimeve dhe CV, si dhe në mënyrë shtesë rekomandime të skanuara nga dy persona me zgjedhje të individit. Personat që kanë bërë rekomandimin mund të kontaktohen në diskrecionin e Komisionit të Nominimeve. Pas mbledhjes së Komisionit të Nominimeve, më 13 mars 2020, një ose më shumë kandidatë të përzgjedhur, do të kontaktohen për diskutim joformal me Rektorin dhe stafin senior. Procesi do të vazhdojë me shqyrtimin e mëtutjeshëm nga Komisioni. Emërimi zyrtar do të bëhet nga Bordi i Universitetit më 5 qershor 2020, në të cilën mbledhje, do të ftohet aplikanti i suksesshëm.

Të gjitha kërkesat, informacionet, aplikimet dhe materialet përkatëse do të trajtohen me besim në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Universiteti është një institucion me mundësi të barabarta.

Dennis Farrington
Kryetari i Komisionit të Nominimeve
20 janar 2020.

Google+