Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Avokatja studentore – zëri i studentëve në Universitet

Zyra e avokates së studentëve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, është shumë e rëndësishme për studentët dhe vetë Universitetin.



Në këtë zyrë qëndron studentja Valdeta Pajaziti, avokatja e parë studentore në historinë e këtij universiteti. Ajo u zgjodh nga vetë studentët , pas ndryshimit të Statutit të Parlamentit Studentor.

“Është kënaqësi për mua, të jem avokatja e parë studentore dhe këtë e shoh më shumë si përgjegjësi sesa privilegj”, thotë Valdeta, të cilën e takuam në zyrë, duke shqyrtuar disa dokumente, që nuk ishin edhe shumë në tavolinën e saj.

Ky trup universitar nuk vizitohet edhe aq shumë nga studentët dhe kjo është një shenjë e mirë për punën që bën universiteti. Detyra e avokates studentore është të përkujdeset për ruajtjen e standardeve më të larta të jetës akademike dhe t’i mbështet studentët në ankesat e tyre.

“Zyra jep mbështetje efektive për studentët në shqyrtimin e pavarur dhe të paanshëm të ankesave të tyre, të cilat nuk janë zgjidhur nga departamenti apo fakulteti përkatës”, shprehet Valdeta.

Avokati studentor funksionon jo më shumë se një vit. Kjo, është një kohë shumë e shkurtër, që të gjithë studentët të njihen me rolin dhe punën që realizohet. Ajo, tregon se aktualisht, përveç punës së përditshme me studentët, mundohet të promovojë me të madhe edhe rolin e këtij shërbimi.

“Ky shërbim studentor ka vetëm një vit që është vene ne funksion prandaj është ende ne fazën fillestare ku jo te gjithë studentet janë te informuar ose e shfrytëzojnë këtë mundësi, edhe pse çdo vit unë si avokate e studenteve kam përdorur disa metoda për t’i informuar studentët për pozitën time dhe rolin që luan kjo pozitë në universitet”, thotë Pajaziti.

Është me rëndësi, që studentët të bashkëpunojnë, të informohen për të drejtat e tyre, të bashkëpunojnë me avokatin e tyre. Vetë ekzistenca e kësaj pozite në universitet përfaqëson një mundësi që studentët t’i zgjedhin problemet me të cilat ballafaqohen gjatë përditshmërisë se studimeve.

“I ftoj te gjithë studentët e UEJL-së që të shfrytëzojnë këtë mundësi në favor të tyre, kështu që bashkërisht të arrijmë në një zgjidhje të pëlqyeshme,korrekte dhe cilësore, gjithnjë duke qenë në përputhje me rregulloren e UEJL”, apelon avokatja e Studentëve. Sipas saj, kjo qasje do të kontribuonte drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve studentore në kuadër të universitetit tonë.

Studentët, po ashtu kanë një orar për t’u takuar me avokatin e studentëve në zyrë. Avokati i studentëve do të bëjë hetime joformale për t’u përpjekur ta zgjidhë çështjen dhe të vendosë nëse një hulumtim është i nevojshëm. Nëse çështja kërkon hulumtim të mëtejshëm, avokati do të hetojë në mënyrën të pavarur ankesën.

Google+