Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Universiteti i Evropës Juglindore mbajti “Ditën e Hapur”

Maturantët , prindërit, profesorët nga shkollat e mesme dhe të gjithë të interesuarit të tjerë, të shtunën (13 prill 2013), në kudër të manifestimit “Dita e Hapur” patën mundësi që të njihen me programet studimore që i ofron Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) për vitin e ri akademik 2013/2014 dhe me tërë infrastrukturën përcjellëse që e posedon universiteti për studime të standardizuara ndërkombëtare.



Gjatë këtij manifestimi u bë publik edhe konkursi për regjistrimin e studentëve, ku ofrohen disa risi, kryesisht programe të reja në fushën e studimeve të integruara dhe në programet e përbashkëta me universitete të njohura të rajonit dhe të vendeve të Bashkimit Evropian. Programet e integruara, do të ofrohen në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, ku do të jenë të angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë, ku 50% e mësimit zhvillohet në universitet, ndërsa 50% në kompani.

“Me këtë konkurs ofrojmë 19 programe deridiplomike, 30 programe të magjistraturës, 4 programe online (i vetmi universitet që ofron programe të këtillë në rajon) dhe 6 programe në ciklin e tretë, apo doktoraturë, me 12 module, që realizohet nëpërmjet Shkollës së Doktoraturës. Kjo ofertë akademike dëshmon se Universiteti ynë është duke u rritur si në aspektin e sasisë ashtu edhe të cilësisë. Këto programe vazhdojnë të jepen në pesë fakultete, edhe atë në Fakultetin e Biznesit të Ekonomisë, Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Fakulteti i Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit dhe Fakulteti i Drejtësisë”, tha rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika.

Risi është po ashtu edhe zgjerimi i Universitetit në një objekt tjetër me më shumë hapësirë në Shkup, konkretisht në hapësirat e ish – shtëpisë së mallrave “Ura” (“Most”).

Sipas konkursit në vitin e ri 2013/2014 pritet të regjistrohen 1 mijë e 300 studentë me qëllim që të ruhen ambiciet e cilësisë së lartë të arsimit universitar me standarde ndërkombëtare.

Në “Ditën e Hapur”, mysafire speciale e Universitetit ishte Kanita Suma, finalistja e X-Factor Albania, të cilës rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika i dha mirënjohje për suksesin e arritur.

Në kuadër të manifestimit “Dita e Hapur” u mbajtën një numër i madh aktivitetesh, si: ekspozitë nga studentët e komunikimit, aktivitete të Parlamentit Studentor, finalja e turneut në futboll mes shkollave të mesme të Tetovës, i organizuar nga Departamenti i Sportit dhe një program i pasur kulturor dhe zbavitës.

Google+