Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Konferenca: “Ballkani dje, sot dhe nesër"

Të premten (29 qershor 2012), në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, u mbajt Konferenca e parë ndërkombëtare shkencore në kuadër të 100 – vjetorit të luftërave ballkanike 1912-2012, me temë: “Ballkani dje, sot dhe nesër", organizuar nga Instituti për studime politike dhe ndërkombëtare – Shkup.



Në fjalën e tij të hapjes, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. dr. Zamir Dika, ndërmjet tjerash tha se “qasja euro-integruese e rajonit gjatë kësaj periudhe historike disa herë ka ndryshuar, në një përpjekje për të reflektuar kuptime shumë të ndryshme. Dhe, sot, Ballkani si emër mund të ofrojë një sfond politik dhe qasje të re të këtij rajoni falë këtyre perspektivave shkencore”.

Drejtori i Institutit studime politike dhe ndërkombëtare, Prof. dr. Ylber Sela, theksoi rëndësinë që ka kjo konferencë, e cila sipas tij “mëton të ndërthurë mendime dhe studime të aktorëve të ndryshëm të fushës së historisë, politikes, ekonomisë, kulturës etj. Nëpërmjet studimeve apo analizave të aktorëve të ndryshëm të shkencës së historisë dhe politikologjisë dhe shkencave tjera shoqërore synohet qe te shihet realiteti i krijuar para 100 viteve, realiteti i sotshëm dhe realiteti ne vitet e ardhshme”.

Kryesuesi i sesionit të parë të kësaj konference, Prof. dr. Blerim Reka tha se shtetet e Ballkanit kanë dy alternativa për të pasur një të ardhme më të mirë, të cilat janë krijimi i shteteve etnike dhe vendosja e një sistemit të shteteve të Beneluksit me kufij sipërfaqësor.

Mr. Demush Bajrami në cilësinë e kryesuesit të sesionit të dytë të kësaj konference vuri në pah faktin se “fillimisht, fjala "Ballkan", vjen si një term neutral, por më vonë merr një konotacion krejtësisht negativ, i cili do të hyjë në literaturën politike si mentalitet "ballkanas", "ballkanizëm", “ballkanizim”... - shprehje këto të papërshtatshme dhe të dhunshme.

Konferencën e përshëndeti edhe ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Gurdun Shtainejker.

Kjo konferencë zgjoi interesim tek studiuesit, ku pati edhe kumtesa të shumta të prezantuara, të cilat krahas informacioneve të bollshme që sollën, njëherësh shpaluan edhe pikëpamje dhe qasje nga fusha dhe disiplina të ndryshme shkencore, të plotësuara edhe me aspekte të studimeve interdisiplinare. Në përgjithësi dominoi rikujtimi, pasqyrimi dhe shqyrtimi i rrethanave dhe faktorëve të ndryshëm që i shoqëruan proceset në të kaluarën dhe të tashmen e Ballkanit të trazuar.

Google+