Në bazë të Statutit të Universitetit të Evropës Juglindore, Komiteti i Emërimeve i Bordit të Universitetit shpall thirrjen për shprehjen e interesit nga individë të kualifikuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV), për plotësimin e dy pozitave vakante si anëtarë të Bordit nga komuniteti, mandati i të cilëve fillon nga 1 shtatori 2024.
Njëra pozitë është e hapur për kandidatët që vijnë nga asociacionet ose komuniteti akademik në RMV, që nuk kanë asnjë konflikt interesi me institucionin. Pozita tjetër është e hapur për kandidatët që vijnë nga komuniteti i biznesit në RMV. Kandidatët duhet ta kenë të dëshmuar kontributin konkret për arsimin e lartë dhe shkencën. Kandidatët nuk duhet të jenë të punësuar në Universitetin e EJL-së.
Mandati i të dy anëtarëve është për katër vjet. Në përputhje me Statutin, asnjë anëtar nuk mund të emërohet, ose riemërohet pasi të mbushë moshën 70 vjeç.
Për tu kualifikuar për emërimin, kandidati, më 1 shtator 2024, duhet të jetë nën moshën 70 vjeç. Komiteti i Emërimeve dëshiron të tërheqë kandidatë që kanë kualifikime dhe/ose kanë përvojë profesionale (për shembull si profesor ordinar, të punësuar në ministri, agjenci për sigurimin e cilësisë ose profesionistë të lartë në sektorin e biznesit). Puna e Bordit të Universitetit zhvillohet në gjuhën angleze, kështu që njohja e rrjedhshme e gjuhës angleze është një kërkesë e veçantë.
Universiteti EJL-së, është institucion i arsimit të lartë privat-publik jo-fitimprurës në RMV, që kryesisht mbështetet në tarifat e shkollimit, por gjithashtu duke marrë një pjesë të rëndësishme të financimit nga Qeveria. Bordi i Universitetit prej shtatë-anëtarësh, i cili përbëhet nga dy anëtarë ndërkombëtarë, dy anëtarë nga komuniteti dhe tre anëtarë të zgjedhur nga Senati i Universitetit, gjithashtu është një organ që nuk është i pranishëm në universitetet publike. Ai funksionon sipas një sërë rregullash që rrjedhin nga Ligji për Arsimin e Lartë, Statuti i Universitetit dhe standardet ndërkombëtare. Bordi (i) ushtron kontroll të përgjithshëm të planifikimit strategjik të Universitetit dhe të qëndrueshmërisë financiare; (ii) emëron nëpunësin kryesor ekzekutiv (Rektorin); (iii) miraton buxhetin dhe llogaritë vjetore; (iv) mbikëqyr auditimin e jashtëm dhe të brendshëm sipas standardeve ndërkombëtare përmes Komitetit të Auditimit dhe Menaxhimit të Rrezikut; (v) ushtron mbikëqyrjen e menaxhmentit të lartë; dhe (vi) mund të angazhohet në mbledhjen e fondeve. Autorizimet e Senatit, nga ana tjetër, shtrihen në të gjitha çështjet akademike, përfshirë sigurimin e cilësisë. Senati gjithashtu konsultohet për çështje tjera nga menaxhmenti i Universitetit dhe Rektori.
Anëtarët e Bordit nga komuniteti në RMV, pritet të marrin pjesë deri në katër mbledhje të Bordit dhe Komiteteve të tij (aktualisht mbahen në mars, qershor, gusht dhe nëntor).
Personat e interesuar ftohen ta kontaktojnë kryetarin e Komitetit të Emërimeve, Prof. Dr. Klaus Tochtermann, për diskutim joformal nëpërmjet email-it: kw.tochtermann@seeu.edu.mk . Informacione të mëtejshme në lidhje me Universitetin mund të gjenden në ueb faqen e tij: www.seeu.edu.mk.
Aplikimet formale duhet të dorëzohen deri në orën 16:00 (CET), më 21 shkurt 2024, duhet të jenë në gjuhën angleze dhe të dorëzohen me email tek Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit, Dr. Xhevair Memedi: x.memedi@seeu.edu.mk . Email-i duhet të përfshi një letër motivimi të nënshkruar dhe skanuar, CV, rekomandime nga dy persona të skanuara, sipas zgjedhjes së aplikantit.
Personat që kanë bërë rekomandimin mund të kontaktohen në diskrecionin e Komitetit të Emërimeve. Pas mbledhjes së Komitetit të Emërimeve, më 21 mars 2024, një ose më shumë kandidatë të përzgjedhur, mund të kontaktohen për diskutim joformal me Kryetarin. Kryetari më pas do ta diskutojë këtë me anëtarët e Komitetit të Emërimeve, Rektorin dhe stafin senior. Emërimi zyrtar do të bëhet nga Bordi i Universitetit më 10 qershor 2024, në të cilën mbledhje, do të ftohet aplikanti i suksesshëm.
Universiteti i EJL-së fuqimisht i inkurajon gratë e kualifikuara që të aplikojnë. Përparësi do t'iu jepet grave me kualifikime ekuivalente dhe performancë profesionale.
Të gjitha kërkesat, informacionet, aplikimet dhe materialet përkatëse do të trajtohen në konfidencë në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Universiteti është një institucion me mundësi të barabarta.
Klaus Tochtermann
Kryetari i Komitetit të Emërimeve
31 janar 2024.