Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
qasje drejt ardhmërisë . . .

U mbajt ceremonia e promovimit të absolventëve – gjenerata е tetë

Të shtunën (9 qershor 2012), në qytezën e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), në Tetovë, në një atmosferë festive, një numër i madh i prindërve, studentëve dhe mysafirëve të shumtë, patën mundësinë të shijojnë një mënyrë unike të promovimit të absolventëve të gjeneratës së tetë. Në mesin e mysafirëve të lartë morën pjesë ambasadori i Hungarisë në Maqedoni, Jozef Bence, zëvendësministri i Arsimit i Maqedonisë, Safet Neziri, kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani dhe mysafirë të tjerë të lartë.

Duke iu drejtuar studentëve, rektori i UEJL, Prof. Dr. Zamir Dika, tha se “dua t’ua rikujtoj se sot po festojmë bashkërisht suksesin e një rruge me shumë sfida dhe vështirësi, por edhe me shumë momente të bukura që i kaluam së bashku”.

Gjithashtu, rektori në këtë mesazh drejtuar studentëve, më tej tha se: “dëshiroj t’ju them se kjo shoqëri urgjentisht ka nevojë për kuadro që janë të përgatitur të ndihmojnë në zhvillimin e saj; për kuadro që kanë fituar dije dhe shkathtësi të nevojshme për problem-zgjidhje; për kuadro që nuk kanë frikë të ballafaqohen me sfidat, pra të pajisur me mendësi ndërrmarësie; për kuadro që kanë guxim intelektual dhe janë të edukuar në një frymë ku divergjencat etnike, gjuhësore dhe kulturore dinë t’i shndërrojnë në përparësi. Universiteti i Evropës Juglindore, pra universiteti i juaj i ka të gjitha parakushtet që ta luajë rolin kryesor në këtë sfidë të progresit tonë. Jeni ju, produkti i këtij universiteti, ata prej të cilëve pritet të jeni gjeneratorë të përparimit, duke vendosur dijet dhe potencialin intelektual përtej karrierës suaj për t’ju dhënë përgjigjen e merituar këtyre sfidave të kohës”.

Kryetari i Bordit të UEJL, Denis Farnigton, tha se disa nga ju e dini se unë kam qenë i përfshirë në këtë institucion të veçantë për më shumë se dymbëdhjetë vjet dhe gjithnjë ndiej kënaqësi të madhe kur shoh se planet tona janë të përkthyera në realitet..

“Problemet serioze ekonomike, mjedisore dhe të tjera janë me ne çdo ditë dhe si duket janë duke u bërë edhe më keq. Ne të gjithë i kemi sytë kah brezi i ri për të krijuar kushtet në të cilat pengesat e panevojshme për lëvizjen e lirë dhe mungesa e respektit të ndërsjellë t’i takojnë të kaluarës.”, tha Farington.

Zëvendësministri i Arsimit të Maqedonisë, Safet Neziri, në fjalimin e tij përshëndetës tha se puna e universitetit tuaj përbën storien e suksesit të arsimit sipëror në Maqedoni, por njëkohësisht edhe storien e suksesit evropian, duke shënuar progresin akademik dhe arsimor për brezat e ardhshëm. Dijet që i keni fituar në këtë universitet me shumë cilësi ju kanë bërë një kuadër të përgatitur për të plotësuar nevojat e tregut në Maqedoni dhe në rajon.

Në fjalimin e tij përshëndetës, ambasadori i Hungarisë në Maqedoni, Jozef Bence, mes tjerash tha” kur unë u ftova në këtë ceremoni nga lidershipi i universitetit për të përshëndetur 700 të diplomuarit e rinj, isha i bindur se Universiteti i Evropës Juglindore nuk ka vetëm mësimdhënie të shkëlqyer - por më e rëndësishmja - ka kapacitete të jashtëzakonshme për të nxënë dije. Është e panevojshme të them, se unë jam jashtëzakonisht krenar që universiteti juaj është partner me dy universitete hungareze - Universitetin Szeged dhe Universitetin Pécs - në kuadër të një projekti të bashkëpunimit akademik TEMPUS”

Edhe këtë vit, tradicionalisht u zgjodhën studentët më të mirë të gjeneratës, të cilët janë: Arlind Musliu, nga Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Daniela Angjelkovska, nga Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit , Donika Zendeli, nga Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, Dajana Dimitrieska, nga Fakulteti i Administrimit Publik dhe Shkencave Politike dhe Leonora Pasho, nga Fakulteti Juridik.

Për anën artistike të ceremonisë u përkujdes Kori i qytetit të Tetovës, por edhe këngëtari, njëherësh dhe ligjërues në UEJL, Dr. Agim Poshka, i cili e këndoi këngën e universitetit “Zëri i Dijës’.

Google+