Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
qasje drejt ardhmërisë . . .

Në UEJL promovohet “Libri i fluturave” i Veton Surroit

Të mërkurën, më 29.02.2012, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë u promovua “Libri i fluturave” i autorit Veton Surroi.

Që në hapje të këtij takimi promovues, njohësi i rrethanave të asaj kohe dhe ish-deputeti, Demush Bajrami tha se viti 2001 nxorri në pah lidershipin shqiptar, i cili dha prova uniteti në momentet më të vështira të krizës së konfliktit. "Këtu, e kam fjalën për tre liderët politikë dhe ushtarakë të asaj kohe, Arbën Xhaferin, Ali Ahmetin dhe Ymer Ymerin", tha ai.

“Universiteti i Evropës Juglindore është projeksion i shekullit XX për shekullin XXI. Ky është vizion i paqes dhe i jetës institucionale. Këtë e ka dëshmuar edhe me rangimin në vendin e dytë, në mesin e universiteteve më të mira në Maqedoni”, tha autori i librit Veton Surroi.

Këtë libër e kam shkruar dhe e promovuar këtu, pasi kam për të larë disa borxhe ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Borxhi parë është kontributi i i shqiptarëve të Maqedonisë, i cili gjatë luftës së Kosovës i hapi dyert për gjithë shqiptarët e Kosovës. Borxhi i dytë është kontributi im ndaj së vërtetës dhe borxhi i tretë është kontributi ndaj paqes.

Platforma e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë gjithë kohës ka qenë që ata të jenë pjesë konstitucionale në të gjitha aspektet. Se sa është arritur kjo, mbetet shumë për t’u analizuar. Me këtë libër nuk kam pretenduar që të jap të vërtetën absolute, pasi ajo nuk ekziston. Unë kam dashur që të them gjërat në të cilat kam qenë protagonist dhe gjërat, të cilat unë i di apo kam informata.

Analisti Rizvan Sulejmani, tha se libri është shkruar në një gjuhë shumë të lehtë dhe të kapshme për të gjithë. Ajo, që e karakterizon librin është simbolika, ashtu si e ka edhe titullin.

Analisti, Sefer Tahiri, tha se libri ka një diapazon të gjerë të analizës publicistike dhe mëton të hapë debat për shumë çështje aktuale.

“Libri i Fluturave” i autorit Veton Surroi bën një analizë të thuktë lidhur me faktorët që çuan deri në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

Google+