Udhëzim për shpjegim të modelit të studimeve sipas ciklit 3+1
Arsimi i lartë në Evropë si edhe në Republikën e Maqedonisë që nga fillimi i procesit të Bolonjës është në reformim e sipër. Këto, janë edhe reformat më të mëdha që janë bërë ndonjëherë në arsimin e lartë.
Universiteti i Evropës Juglindore që nga themelimi i ka përcjellë këto reforma, siç janë: implementimi i kredive ECTS (Sistemi Evropian i Transferit të Kredive), studimet në cikle, zhvillimi i vazhdueshëm i planprogrameve, sigurimi i cilësisë, etj.
Ligji i ri arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë përshkruan dhe obligon implementimin e principeve të Deklaratës së Bolonjës.
Një prej elementeve kryesore të këtij procesi janë edhe studimet në cikle: cikli i parë i studimeve (deridiplomike), cikli i dytë i studimeve (pasdiplomike) dhe cikli i tretë i studimeve (të doktoraturës).
Studimet në cikle janë zbatuar që nga themelimi, sipas sistemit 4+1, ndërsa në vitin akademik 2005/2006, i reformuam programet studimore sipas modelit të cikleve “të preferuar” të Bolonjës 3+2+3. Pra, procesi i studimeve në cikle, kryesisht në Evropë, realizohet, pikërisht në saje të këtij modeli: studimet deridiplomike trevjeçare me akumulim të 180 ECTS kredive, studimet pasdiplomike - të magjistraturës me kohëzgjatje dyvjeçare me akumulim të 120 ECTS kredive, që do të pasohen me studime të doktoraturës - cikli i tretë, me kohëzgjatje prej 3 viteve (3+2+3).
Mirëpo, gjithashtu, disa programe realizohen sipas modelit 4+1, që gjithashtu bëhen në përputhje me principet e Bolonjës, sidomos studimet në programet e mjekëssë, inxhinierisë dhe disiplina të ngjashme. Pra, në tregun e punës, do të ofrohen studentë të diplomuar me tre dhe katër vite të studimeve deridiplomike.
Nga ana tjetër, si opinioni ashtu edhe tregu i punës, nuk është i përgatitur të lexojë, në mënyrë të qartë, rezultatet e programeve studimore trevjeçare dhe katërvjeçare. Ky fakt, mund t’i vendosë në pozitë jo të barabartë studentët e diplomuar sipas programit trevjeçar, që do të thotë se çdonjëri që ka kryer studimet trevjeçare, do të detyrohet që t’i vazhdojë studimet e ciklit të dytë dyvjeçar, ndonëse në princip nuk është gjë e detyrueshme për çdo vend pune.
Duke pasur parasysh faktin se një pjesë e madhe e tregut real, sidomos në administratën shtetërore në Maqedoni dhe në rajon, ende nuk është e përgatitur të punësojë, në mënyrë adekuate, të diplomuarit në programin trevjeçar, atëherë, duke shfrytëzuar fleksibilitetin e Deklaratës së Bolonjës dhe atë të Ligjit për arsimin e lartë, UEJL ka akredituar programet studimore sipas modelit 3+1, si alternativë krahas sistemit ekzistues 3+2.
Ç’nënkupton konkretisht kjo reformë e programeve studimore në UEJL?
Kjo, ka të bëjë me faktin se studentët, të cilët përfundojnë ciklin trevjeçar të studimeve - “Bachelor” me 180 ECTS, do të mund t’i vijojnë studimet sipas dy opsioneve, edhe atë:
- Mundësia për t’i vazhduar studimet e ciklit të dytë - dyvjeçar, me 120 ECTS, ku studenti do të marrë titullin “Master” në lëmin e caktuar.
- Mundësia për të vazhduar studimet deridiplomike specialistike - njëvjeçare me 60 ECTS, ku pas përfundimit të të cilave studenti do të marrë diplomën “Bachelor - specialist” me 240 ECTS kredi të përfunduara, me specializim në degën (lëmin e caktuar).
Opsionet e përshkruara janë ilustruar në figurën e mëposhtme:

Rregjistrimi në ciklin plotësues +1
- Në ciklin +1, kanë të drejtë të regjistrohen të gjithë studentët, të cilët kanë përfunduar (kanë dëgjuar) semestrin e gjashtë, në studimet e ciklit të parë, me kohëzgjatje trevjeçare në UEJL. Gjithashtu, në ciklin njëvjeçar mund të regjistrohen edhe studentë të jashtëm me kusht që të kenë përfunduar studimet e ciklit të parë nga lëmi të ngjashme.
- Çmimi për një vit plotësues specialistik është i njëjtë me çmimin e studimeve deridiplomike në UEJL.
Diploma
- Studentët, pas përfundimit të ciklit 3+1, pas akumulimit të 240 ECTS kredive, në bazë të kërkesave të programit studimor, do të marrin Diplomën për përfundimin e ciklit të parë me 240 ECTS, me specializim në degën përkatëse. Pra, do të fitojnë diplomën “Bachelor me specializim nga lëmi përkatës”.
- Studentët, të cilët janë regjistruar në vitin plotësues +1, por nuk kanë akumuluar 180 ECTS të ciklit të parë trevjeçar në bazë të kërkesave të programit studimor, kanë të drejtë që në ndërkohë, me kompletimin e 180 ECTS kredive, të marrin edhe diplomën trevjeçare Bachelor nga lëmi përkatës.
Kalimi në ciklin e dytë - magjistratura:
- Studentët, të cilët kanë përfunduar ciklin 3+1(= 4), pra ata që kanë diplomuar në ciklin e parë me specializim, kanë të drejtë të regjistrohen në studimet e ciklit të dytë - të magjistraturës, sipas modelit +2. Komisioni për evaluimin e dijeve i Fakultetit/Programit përkatës studimor, do të bëjë evaluimin e dijeve, si dhe numrin e kredive që do të pranohen si kredi fillestare në ciklin e dytë.
Cikli 3+2
- Në ciklin e dytë të studimeve pasdiplomike mund të regjistrohen drejtpërdrejtë të gjithë studentët që kanë përfunduar ciklin e parë trevjeçar. Çmimi i studimeve të ciklit të dytë +2 do të jetë 900 Euro për semestër (30 Euro për ECTS kredi). Gjithashtu, në këtë cikël të studimeve mund të regjistrohen edhe studentët që kanë përfunduar ciklin 3+1 (apo 4), me një numër të caktuar të kredive që do t’u pranohen nga komisioni për evaluimin e dijeve të fakultetit përkatës. Pagesa do të jetë e njëjtë, pra 30 Euro për një ECTS kredi.
Rregjimi i studimit në ciklin +1 dhe +2
Studimet e ciklit +1 dhe ato +2 do të realizohen sipas sistemit me korrespondencë. Pra, 50% e përmbajtjeve të lëndëve të caktuara do të servisohen drejtpërdrejtë, ndërsa 50% në kuadër të mësimit në distancë.
